Trump, Ivanovit: Marrëveshja me Greqinë i hap rrugën anëtarësimit në NATO dhe BE
Marrëveshja e Prespës i hap rrugën Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe BE, ka shkruar presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në urimin dërguar presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov, me rastin e 8 shtatorit, ditës së pavarësisë së Maqedonisë.
“Maqedonia ka shumë arsye që të jetë krenare. Marrëveshja historike e Prespës zgjidh kontestin shumëvjeçar (v.j.të emrit) me Greqinë dhe i hap rrugën Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe BE. Marrëveshja dhe anëtarësimi i Maqedonisë në NATO forcojnë sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e tërë rajonit”, ka shkruar presidenti amerikan, duke e siguruar Ivanovin për vazhdimin e mbështetjes amerikane për procesin euroatlantik.
“SHBA është e gatshme të mbështesë Maqedoninë, veçanërisht në bisedimet e ardhshme për anëtarësim në NATO. U dëshirojmë gjithë të mirat qytetarëve të Maqedonisë me rastin e kësaj dite të veçantë”, thuhet në urimin e presidentit Trump të publikuar nga ambasada amerikane në Shkup.