Trump kërcënon me “shembjen” e bursave, nëse rrëzohet si president
Rrëzomëni dhe do të shemben të gjitha bursat! Donald Trump iu përgjigj me një paralajmërim spekulimeve se mund t’i nënshtrohet një procesi “impeachment”-i.
Deklarata e presidentit amerikan ishte e qartë. Çdo lëvizje e kësaj natyre do të dëmtonte ekonominë.
“Jua them unë çfarë. Nëse do të rrëzohesha unë, tregu do të binte e të gjithë do të varfëroheshin. Unë nuk e kuptoj sesi mund të rrëzosh dikë që ka bërë një punë të shkëlqyer”, tha Trump.
Komentet e shefit të Shtëpisë së Bardhë, në një intervistë dhënë për “Fox & Friends”, vijnë një ditë pasi avokati i tij, Michael Cohen u deklarua fajtor për shkeljen e ligjeve elektorale, e tha se kishte qenë pikërisht Trumpi që e kishte udhëzuar të bënte një gjë të tillë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, rrallëherë ka folur për mundësinë e një “impeachment”-i, ndërsa pavarësisht fjalëve që qarkullojnë në media, korrespondentët e huaj thonë se janë të pakta gjasat, që kundërshtarët e Trumpit të përpiqen ta rrëzojnë përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit në muajin nëntor.
Cohen rrëfeu se gjatë fushatës presidenciale ka paguar dy gra, të cilat thonë se kanë pasur marrëdhënie intime me miliarderin, një yll të filmave për të rritur dhe një ish-modele “Playboy”. Vet Trumpi këmbëngul se pagesat janë bërë nga paratë e tij dhe nuk kanë shkelur rregullat e fushatës.