Trump lavdëron të bijën, thotë se ka hapur 15 milionë vende pune
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ia ka dhënë meritat vajzës së vet, Ivanka Trump, për krijimin e 15 milionë vendeve të punës. Kjo deklaratë erdhi në kohën kur Shtetet e Bashkuara po përballen me rritje të madhe të njerëzve të papunë shkaku i krizës së koronavirusit.
Vajza e presidentit amerikan u paraqit përkrah tij në një konference me video-lidhje me disa pronarë biznesesh, ku Trumpi kërkoi 250 miliardë dollarë shtesë si hua për ndërmarrjet në kohën e krizës, shkruan “Daily Mail”, transmeton Express.
“I dhashë vajzës sime shumë opsione. Çfarë ju pëlqen? Ajo i krijoi mbi 15 milionë vende pune duke punuar me disa prej jush, por edhe duke punuar me kompanitë më të mëdha në botë”, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.
“Ajo e filloi këtë nismë me qëllimin për krijimin e 500 mijë vendeve të punës dhe tash ka arritur në mbi 15 milionë”, shtoi ai.
Ndryshe, mbi 10 milionë amerikanë kanë dorëzuar dokumente për të përfituar nga ndihma sociale për shkak të humbjes së vendeve të punës. Shtetet e Bashkuara e kanë numrin më të lartë të të prekurve nga koronavirusi në tërë botën – rreth 400 mijë persona.