Trump mund të përjashtohet nga seanca gjyqësore nëse pengon procesin
Një gjyqtar e ka paralajmëruar ish-presidentin amerikan, Donald Trump, të mërkurën se mund të përjashtohet prej seancës gjyqësore në rastin e nisur prej shkrimtares E.Jean Carroll, nëse ai ka qasje përçarëse.
Kërcënimi i gjyqtarit Lewis Kaplan ka ardhur pasi avokatët e Carrollit – të cilët pretendojnë se Trump ia ka shkatërruar reputacionin shkrimtares dhe duhet të paguajë dëmet, pasi e ka mohuar më 2019 se e ka dhunuar dekada më parë – kanë thënë se Trump ka bërtitur para jurisë kur Caroll ka qenë duke e dhënë dëshminë e saj.
“Ai ka thënë: ‘Është gjueti shtrigash, është mashtrim’”, ka thënë Shawn Crowley, avokate e Carrollit, jashtë gjykatës në Manhatan.
Kaplan ka paralajmëruar Trumpin që ta kontrollojë veten gjatë seancës.
“Zoti Trump ka të drejtë të jetë prezent këtu. E drejta mund të humbet nëse ai është përçarës, dhe nëse i shpërfill urdhrat e gjykatës”.
“Zoti Trump, shpresoj që nuk do të duhet të shqyrtoj nëse duhet t’ju përjashtoj prej seancës”, ka thënë Kaplan.
Trump, 77-vjeçar, ka thënë se dëshiron të dëshmojë, mirëpo nuk i kërkohet të jetë në seancë.
Ai nuk ka marrë pjesë në deklaratat fillestare në pasditen e së martës, dhe është nisur për në Nju Hempshajër në fushatën për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.