Trump: Na presin dy javë të vështira
Dy javët e ardhshme do të jenë nga më të vështirat për kombin amerikan, ka paralajmëruar presidenti Donald Trump, teksa vendi lufton përhapjen e koronavirusit.
Presidenti Donald Trump iu drejtua të martën kombit me lajmin dëshpërues, me të njëjtën peshë serioziteti si paraardhësit e tij Xhorxh W. Bush kur vendi do të sulmohej nga terroristët më 11 shtator 2001 apo si Xhen Kenedi pas krizës me Kubën.
“Këto kanë për të qenë dy javët më të vështira për ne si komb. Nuk dua të tregohem njeri negativ, të vij këtu dhe t’ju them se do humbasim 220 mijë veta gjatë javëve që vijnë. Por kur sheh në fund të ditës sa vdekje ka shkaktuar ky armik i padukshëm, është e pabesueshme,” deklaroi Trump.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë përsëriti se masat shtrënguese që aplikohen tashmë në rang vendi janë të domosdoshme për ta mbajtur numrin e viktimave poshtë shifrës 2,2 milionë që do të ishte skenari më i keq nëse qeveria nuk do të ndërhynte.
Në SHBA, u regjistruan të martën rreth 190 mijë të infektuar nga Covid-19 dhe mbi 4 mijë veta humbën jetën brenda muajit mars.
Autoritetet apelojnë për respektimin e masave në fuqi rreth ruajtjes së higjienës, të distancave mes njerëzve dhe evitimin e udhëtimeve të panevojshme.