Trump nuk thotë se do ta transferojë paqësisht pushtetin nëse humb
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, refuzoi të thotë se do ta transferojë paqësisht pushtetin nëse i humb zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
“Do të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Trump në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë, pasi u pyet nëse do ta transferonte në mënyrë paqësore detyrën.
Ai po ashtu tha se beson se rezultati zgjedhor mund të përfundojë në Gjykatën Supreme të SHBA-së, pasi sërish vuri në dyshim votimet me postë.
Gjithnjë e më shumë shtete në SHBA janë duke inkurajuar votimin me postë, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Por, është e pazakontë që një president amerikan të shprehë pak besim në procesin zgjedhor të demokracisë së SHBA-së.
Edhe në zgjedhjet e katër vjetëve më parë, Trump nuk ka pranuar të thotë se do ta respektojë rezultatin zgjedhor, nëse kundërshtarja e tij, Hillary Clinton, fiton.
I pyetur të komentojë komentet e fundit të Trumpit, kandidati demokrat në zgjedhjet e 3 nëntorit, Joe Biden, tha:
“Populli amerikan do të vendosë në këto zgjedhje. Dhe, Qeveria e Shteteve të Bashkuara është plotësisht e aftë që t’i shoqërojë shkelësit nga Shtëpia e Bardhë”.
Unioni Amerikan i Lirive Civile gjithashtu i kritikoi deklaratat e Trumpit.
“Transferimi paqësor i pushtetit është thelbësor për një demokraci funksionale”, tha Davic Cole, nga ky union./rel/