Trump pengon publikimin e komunikatës ku senatori McCain cilësohet hero
Edhe pas vdekjes, presidenti amerikan Donald Trump vijon grindjen e tij me senatorin John McCain.
Ai nuk ka lejuar publikimin e një komunikate të Shtëpisë së Bardhë, në të cilën McCain cilësohet hero lufte.
Presidenti amerikan Donald Trump ka penguar administratën e Shtëpisë së Bardhë në publikimin e një kumtese zyrtare me rastin e vdekjes të senatorit republikan John McCain.
Duke cituar zyrtarë të paemëruar të Shtëpisë së Bardhë, mediat amerikane raportojnë se zëdhënësja Sarah Sanders dhe shefi i kabinetit të Trumpit, John Kelly me rastin e ndarjes nga jeta të senatorit McCain lëshuan një njoftim zyrtar të Shtëpisë së Bardhë në të cilën flitet në superlativ për senatorin tashmë të ndjerë McCain duke e cilësuar si hero amerikan.
Të njëjtat burime raportojnë se presidenti amerikan Trump nuk ka miratuar publikimin e këtij teksti.
McCain ishte një nga kritikët më të zëshëm të politikave të Trumpit brenda qarqeve republikane, ndërsa Trump me rastin e vdekjes së tij u mjaftua me një mesazh ngushëllues që ia dërgoi familjes McCain përmes Twitterit.
Trump tre vite më parë publikisht kontestoi epitetin e McCain si hero nga lufta e Vitenamit.
“Ai nuk është hero lufte. Njihet si hero pasi ishte kapur si rob, ndërsa unë i dua ata që nuk janë kapur robër”, pati thënë Trump në një prononcim në vitin 2015.
Nga ana tjetër, zyra e senatorit të ndjerë McCain ka njoftuar se lamtumira e fundit do t’i jepet në një ceremoni që do të mbahet më 2 shtator në varrezat e Akademisë Detare në Maryland. Ndërkohë në Arizona dhe në Washington do të mbahen akademi komemorative.