
Trump për fitoren e CDU/CSU në Gjermani: Një ditë e madhe për Berlinin dhe Washington-in
Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar pas rezultateve të para të zgjedhjeve në Gjermani, ku CDU/CSU ka dalë forcë e parë. Përmes një postimi në rrjetin e tij social “Truth”, Trump e cilësoi këtë një moment historik për marrëdhëniet mes Berlinit dhe Washington-it, duke theksuar se gjermanët janë lodhur nga “politika pa sens”.
“Është një ditë e madhe për Gjermaninë dhe për Shtetet e Bashkuara nën lidershipin e Trump. Urime të gjithëve. Duket se partia konservatore në Gjermani ka fituar me diferencë të madhe,” shkroi ai.
Trump e lidhi rezultatin e CDU/CSU me lodhjen e votuesve nga politikat e mëparshme mbi energjinë dhe emigracionin. “Ashtu si në SHBA, edhe gjermanët janë lodhur nga politika pa sens, veçanërisht në çështjet e energjisë dhe emigracionit, që kanë mbizotëruar për shumë vite,” shtoi ai.
Ky reagim vjen në një moment kur Friedrich Merz, lideri i CDU/CSU, ka shpallur fitoren dhe ka bërë thirrje për krijimin e një qeverie të qëndrueshme sa më shpejt. Me 29% të votave sipas exit poll-eve, CDU/CSU kryeson zgjedhjet, duke u ndjekur nga partia e ekstremit të djathtë AfD me 19.5% dhe Social Demokratët (SPD) me 16%.
Rezultati i zgjedhjeve mund të sjellë një riorientim të politikës gjermane, ndërsa Trump ka lënë të kuptohet se një fitore e konservatorëve në Berlin do të forcojë aleancën me SHBA-në gjatë mandatit të tij.