Trump përgatitet për mitingun e madh
Nesër sytë e politikës amerikane do t’i drejtohen qytetit të Tulsës, në Oklahoma. Aty, me masa sigurie të rrepta, do të zhvillohet mitingu i parë politik pas karantinës së shkaktuar nga koronavirusi, pikërisht ai i presidentit amerikan Donald Trump.
Eventi i parë masiv i këtij lloji në vendin ende të traumatizuar nga shifrat e pandemisë, ku disa shtetet si Florida po shohin rritje të të infektuarve, mendohet t’i shërbejë republikanëve dhe vetë presidentit për të rikthyer entuziazmin në elektoratin e tyre, që si pasojë e pandemisë dhe protestave antiraciste duket e çorientuar, dhe në disa raste edhe kritike ndaj vendimeve të Shtëpisë së Bardhë.
Lajmi i fundit i hidhur për Trump, pas polemikave me kolosët e rrjeteve sociale si Twitter dhe Facebook, vjen edhe nga burimi më i papritur. Pikërisht rrjeti televiziv Fox, i afërt me idetë konservatore të republikanëve, ka shpërndarë një sondazh ku 56% i të pyeturve kritikon vendimmarrjen dhe menaxhimin e presidentit të protestave të ndodhura pas vdekjes së George Floyd në Mineapolis.
Por lajmi më i keq për presidentin nga sondazhi është fakti që sot 50% do votonte në zgjedhjet e nëntorit për kandidatin demokrat Joe Biden, dhe vetëm 38% për presidentin Trump.
Janë 12 pikë diferencë që Trump duhet të plotësojë në pak muaj, dhe disa analistë mendojnë se kjo do të jetë pothuajse e pamundur, duke parë atë që po ndodh në vendin më të fuqishëm në botë.
Mijëra protestues që i përkasin lëvizjes Black Lives Matter dhe kritikëve të qeverisë amerikane pritet të mbërrijnë në Tulsa, ku nuk përjashtohen përballjet me mbështetësit e Trump. Autoritetet e qytetit kanë vendosur një shtetrrethim tre-ditor gjatë orëve të natës, por frika për trazira mbetet e lartë.
Padyshim në këtë pikën nuk ndihmojnë as deklaratat e vetë presidentit, ku me tone të ndezura ai ka nënvizuar se “manifestuesit, anarkistët, bastisësit, të dhunshmit që do të mbërrijnë në Oklahoma nuk do të trajtohen si në Nju Jork, Seattle dhe Mineapolis”, duke cituar në këtë mënyrë disa nga qytetet e kritikuara nga ai si tejet të “buta” me qasjen e dhunshme të protestave antiraciste.