
Trump po e kërcënon Rusinë me “tarifa dytësore” – çfarë do të thotë kjo?
Të dielën, Donald Trump kërcënoi me “tarifa dytësore” ndaj Rusisë nëse ajo nuk e pranon një armëpushim me Ukrainën. BBC e ka analizuar këtë çështje.
Çfarë tha Trump?
“Nëse Rusia dhe unë nuk arrijmë një marrëveshje për ndalimin e gjakderdhjes në Ukrainë, dhe nëse mendoj se ishte faji i Rusisë, që mund edhe të mos jetë… unë do të vendos tarifa dytësore… për të gjithë naftën që del nga Rusia”, tha presidenti amerikan për NBC News.
“Kjo do të thotë që nëse blini naftë nga Rusia, nuk mund të bëni biznes në Shtetet e Bashkuara”, shtoi Trump. “Do të ketë një tarifë 25% mbi të gjithë naftën, një tarifë prej 25 deri në 50 pikë për të gjithë naftën”.
Ai gjithashtu e përshkroi atë si një “tarifë 25% mbi naftën dhe produkte të tjera të shitura në Shtetet e Bashkuara, tarifa dytësore”.
Çfarë është tarifa dytësore?
Kur një qeveri vendos tarifa tregtare, kjo do të thotë që ajo po takson importuesin e mallrave. Në thelb, kjo është një tarifë hyrëse për produktet, zakonisht e përcaktuar si përqindje e vlerës së tyre.
Kjo nuk është hera e parë që Trump flet për përdorimin e “tarifave dytësore”. Ai duket se nënkupton një tarifë të vendosur ndaj një vendi për shkak se ai bën biznes me një vend tjetër – në këtë rast, Rusinë.
Pra, Trump duket se po kërcënon të vendosë një tarifë prej 25% deri në 50% për produktet që hyjnë në SHBA nga vendet që blejnë naftë ruse. Blerësit më të mëdhenj të naftës ruse janë Kina dhe India.
Çfarë ndryshimi do të sillte kjo?
Në mars të vitit 2022, SHBA deklaroi se po ndalonte importin e pothuajse të gjitha produkteve energjetike ruse. Vende të tjera perëndimore kanë vendosur sanksione të ngjashme.
Gjithashtu, SHBA ka një regjim më të gjerë dhe shumë kompleks sanksionesh ndaj Rusisë. Qëllimi i tij, pjesërisht, është që ta vështirësojë blerjen dhe shitjen e produkteve nga Rusia dhe të reduktojë se sa para mund të fitojë ajo.
Tarifat dytësore që Trump po i propozon do ta vështirësonin shitjen e naftës nga Rusia – pasi blerësit do të mendonin dy herë për dëmin që mund t’i shkaktonin tregtirës së tyre me ShBA-në.