Trump: Policia nuk duhet të përdorë metodën e shtrëngimit në qafë

13 qershor 2020 | 11:13

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se policia nuk duhet të përdorë “metodën e shtrëngimit në qafë” me anë të së cilës ndalon një person duke e shtrënguar në qafë në mënyrë që ai apo ajo të dorëzohet.

Trump tha në një intervistë për Fox News më 12 qershor se në përgjithësi, kjo metodë e përdorimit të forcës duhet të ndalohet.

“Mua nuk më pëlqen kjo metodë, por.. nganjëherë kur jeni duke e luftuar dikë i vetëm, është vështirë”, tha ai.

Këto komente vijnë pasi presidenti amerikan, ka thënë se përmes një urdhri ekzekutiv do të mund të inkurajojë departamentet policore që të zbatojnë “standardet aktuale profesionale sa i përket përdorimit të forcës”, në kohën e protestave kombëtare kundër racizimit, që janë nxitur pas vdekjes së afrikano-amerikanit, George Floyd.

Trump, që garon për një tjetër mandat si president i SHBA-së, ka thënë se administrata e tij do të shtyjë përpara, në mënyrë agresive, zhvillimin në komunitetet me minoritete, do të përballet me pabarazitë rreth kujdesit shëndetësor, duke investuar “shuma substanciale” në institucionet mjekësore, si dhe do të përmirësojë mundësitë për shkollim.

Demokratët në Kongresin amerikan po ashtu kanë kërkuar ndryshimin e legjislacionit, ku përfshihet heqja e metodës së shtrëngimit në qafë dhe kufizimi i mbrojtjes ligjore për policët. Edhe republikanët janë shprehur të hapur për reforma.

Në SHBA, shtetet janë duke rishikuar protokollet për të bërë ndryshime në përdorimin e forcës nga ana e policisë.

Në Mineapolis, vendi ku George Floyd ndërroi jetë gjatë mbajtjes, liderët votuan njëzëri për reformat që e kthejnë policinë në “polici të komunitetit”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot në orët e hershme të mëngjesit, pas një sëmundje…