Trump premton eksplorimin e Marsit
Donald Trump është rikthyer në vendin ku i mbijetoi një atentati në Butler, Pensilvani.
“Faleminderit”, tha ai para një turme të madhe.
“Një faleminderit shumë i madh. Ne e duam Pensilvaninë”, shtoi ai, gjë që shkaktoi brohoritje nga publiku.
Trump tha: “Kthehem në Butler për të dhënë një mesazh të thjeshtë. Ne do ta bëjmë Amerikën të madhe përsëri, do të fitojmë zgjedhjet”.
“Personi i armatosur kishte për qëllim të më mbyllte gojën mua dhe lëvizjes MAGA”, tha Trump në lidhje me atentatin.
Bëhet e ditur se duke diskutuar fushatën e tij për Shtëpinë e Bardhë, ai premtoi përgjysmimin e çmimeve të energjisë dhe ulje të mëdha taksash, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Ish-presidenti gjithashtu premtoi se SHBA-ja do të “mbërrijë në Mars” para përfundimit të mandatit të tij të dytë, nëse ai rizgjedhet.
Siç raportohet, në orën 18:11, koha kur shpërthyen të shtënat, Trump bëri thirrje për një moment heshtjeje.
Disa nga turma brohorisnin “luftoni, luftoni, luftoni” – slogani që Trump përdori për të mbledhur ndjekësit e tij disa momente pasi u qëllua.
Më vonë ai e përsëriti vetë frazën, ndërsa kandidati i tij për zëvendëspresident, JD Vance, tha se ish-presidenti “mori një plumb për demokracinë”.
Elon Musk, i Tesla dhe SpaceX, doli në skenë shkurtimisht dhe u kërkoi njerëzve të regjistroheshin për të votuar.
Përveç kësaj, ai pretendoi se Trump duhet të fitojë zgjedhjet presidenciale të muajit të ardhshëm “për të ruajtur kushtetutën” dhe “për të ruajtur demokracinë në Amerikë”.