Trump: Rusia të ndalojë mbështetjen e ‘mizorive’ në Idlib
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump, ka biseduar në telefon me presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, “për të shprehur shqetësimin e tij për dhunën në Idlib të Sirisë”, ka thënë sekretari për media i Shtëpisë së Bardhë, Judd Deere.
Sipas tij, Trumpi ka kërkuar që Rusia të ndalojë mbështetjen e saj për “mizoritë” e regjimit sirian dhe shprehu “dëshirën e ShBA-së për të parë fundin e mbështetjes ruse” për presidentin sirian, Bashar al-Assad.
Trumpi po ashtu u ka bërë thirrje për “zgjidhje politike të konfliktit në Siri”, i cili ka nisur qysh në vitin 2011.
E mbështetur nga sulmet ajrore të Rusisë, Qeveria e Sirisë ka bërë përparime të dukshme ditëve të fundit në Idlib, që është bastioni i fundit i rebelëve anti-qeveritarë.
Turqia, e cila i mbështet rebelët që duan rrëzimin e Assadit, i ka kërkuar Rusisë që të ndalojë sulmet në Idlib, duke paralajmëruar se do të përdorë fuqinë ushtarake kundër forcave siriane, nëse ato nuk tërhiqen deri në fund të muajit.
Kombet e Bashkuara kanë thënë se 800 000 njerëz janë zhvendosur nga zona, që nga intensifikimi i luftimeve në muajin dhjetor.