Trump: Sanksionet kanë filluar të ndikojnë tek Koreja Veriore
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë gjatë ditës së sotme se bisedimet në mes të Koresë Veriore dhe Koresë Jugore janë shenjë se Pheniani është duke u ndikuar nga sanksionet që i janë vënë, pas testimeve të raketave balistike dhe armëve bërthamore, transmeton Reuters.
“Sanksionet dhe ‘presionet’ e tjera kanë filluar të kenë ndikim të madhe tek Koreja Veriore. Ushtarët janë duke ikur me rrezik drejt Korese Jugore”, ka thënë Trump përmes një postimi në Twitter.
“Njeriu i raketave tani dëshiron të bisedojë me Korenë Jugore për herë të parë. Ndoshta ky është lajm i mirë, ndoshta jo, do të shohim”, ka thënë presidenti Trump.
Këto reagime të Trumpit kanë ardhur pas deklaratave të liderit verikorean, Kim Jong Un se ka mundësi për zhvillimin e bisedimeve në mes të dy vendeve për të diskutuar pjesëmarrjen e një ekipi të Koresë Veriore në Lojërat Olimpike Dimërore që nisin muajin tjetër në Pieonçang.