Trump s’tërhiqet nga propozimi për rritjen e tarifave
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha sot në Twitter se tarifat e tij mbi importet e çelikut dhe aluminit do të ndryshonin vetëm nëse do të arrihej një marrëveshje tregtare e re dhe e drejtë me Kanadanë dhe Meksikën.
Të tre vendet janë aktualisht në negociata lidhur me Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut.
Përveç përmendjes së tarifave të çelikut dhe aluminit, presidenti Trump tha se në një marrëveshje të re Kanadaja duhet t’i trajtojë më mirë fermerët amerikanë dhe Meksika duhet të bëjë më shumë për të ndaluar trafikun e drogës në Shtetet e Bashkuara.
Kanadaja është partneri më i madh tregtar i SHBA dhe vitin e kaluar ka dërguar 7.2 miliardë dollarë alumin dhe 4.3 miliardë dollarë çeliku në Shtetet e Bashkuara.
Tarifat gjithashtu do të preknin edhe aleatë të tjerë si Britania, Gjermania, Koreja e Jugut, Turqia dhe Japonia. Por Kina, prodhuesi më i madh i çelikut në botë, dërgon vetëm 2 përqind të furnizimit të saj në SHBA dhe do të prekej më pak nga këto tarifa.
Këshilltari tregtar i Shtëpisë së Bardhë Peter Navarro tha të dielën se presidenti Trump nuk po planifikon të përjashtojë asnjë vend nga rritja e tarifave.