
Trump synon dëbimin e një milion emigrantëve?
Presidenti amerikan Donald Trump synon të dëbojë një milion emigrantë në vitin e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë.
Këtë e raporton Washington Post, duke cituar disa burime.
Synimi i presidentit amerikan duket ambicioz duke pasur parasysh se, sipas statistikave të disponueshme, numri më i lartë i emigrantëve të deportuar në një vit ishte 400,000 nën Barack Obaman.
Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller, po punon çdo ditë me zyrtarë të Departamentit të Sigurisë Kombëtare dhe agjencive të tjera federale për të arritur këtë qëllim, sipas WP, duke vënë në dukje se administrata amerikane po negocion me rreth 30 vende për t’i bindur ata të pranojnë emigrantë të deportuar që nuk janë shtetas të tyre.
Ndryshe, një shumicë e madhe e amerikanëve janë të shqetësuar se mund të humbasin punën e tyre këtë vit, tregon një studim i ri i tregut të punës.
Një raport i titulluar The Great Stay: 2025 State of the Labor Market, i kryer nga platforma My Perfect Resume, zbulon pasigurinë në rritje midis punëtorëve në SHBA.
Sipas një sondazhi të kryer në mesin e 1,115 punonjësish, rreth 81% e të anketuarve kanë frikë se do të humbasin punën këtë vit, dhe 20% e tyre thonë se janë “shumë më të shqetësuar” se vitin e kaluar, transmeton Telegrafi.