![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2025/02/640-0-er4h-1739297681.png)
Trump takon mbretin e Jordanisë: Gazën do e marrim pa e blerë, palestinezët do zhvendosen për një jetë më të mirë
Presidenti i SHBA-së Donald Trump nuk tërhiqet nga plani i tij që siç duket është ndërtimi i resorteve luksoze turistike në Gaza.
Këtë ai e ka përmendur edhe sot gjatë takimit me mbretin e Jordanisë Abdullah II, i cili mbërriti në SHBA për të prezantuar një plan për të cilin Shtëpia e Bardhë do të bjerë dakord me vendet arabe.
Sipas medieve të huaja, ndonëse mbreti Abdullah II nuk e kundërshtoi publikisht Trump-in, ai nuk është dakord për zhvendosjen e palestinezëve.
Sipas Trump, në Gaza do të ndërtohen vila dhe hotele luksoze, çka do të hapë vende të shumta pune për të gjithë rajonin, ndërsa palestinezët do zhvendosen për të jetuar në territore të Egjiptit dhe Jordanisë në një vend me shtëpi të mira dhe me jetë më të mirë.
I pyetur nga një reportere për planin e tij “për të blerë Gazën”, Trump tha se SHBA-ja “nuk do e blejë, pasi nuk ka çfarë të blejë aty, por do ta marrë pa e blerë”.
Trump gjithashtu pretendoi se ka mbështetje të madhe globale për këtë plan.
Mbreti Abdullah tha se një prej gjërave që Jordania mund të bëjë menjëherë, është të marrë 2 mijë fëmijë palestinezë të sëmurë rëndë dhe me kancer për trajtim të menjëhershëm në vendin e tij.