Trump do të emërojë diplomaten Kavalec ambasadore në Shqipëri
Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi të martën synimin për të emëruar zonjën Kathleen Ann Kavalec nga Kalifornia si ambasadore e SHBA-së në Shqipëri, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Kavalec aktualisht shërben si Zëvendës Ndihmës Sekretare në Zyrën e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit me mbi tre dekada përvojë si diplomate.
Më parë ka shërbyer si Drejtoreshë e Zyrës së Çështjeve të Rusisë, Zëvendës Shefe e Misionit të SHBA në UNESCO në Paris, Zëvendës Koordinatore e Ndihmës në Zyrën e Çështjeve Evropiane dhe Drejtore për Parandalimin e Konflikteve në Zyrën e Koordinatorit për Rindërtimin dhe Stabilizimin.
Kavalec ka mbaruar Universitetin e Kalifornisë në Berkeley dhe ka një master nga Universiteti Georgetown.
Flet rrjedhshëm gjuhët frënge, rumune, ukrainase, ruse, spanjolle dhe portugeze./VoA