Trump thotë se takimi me Kimin është në “bërje e sipër”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se një marrëveshje me Korenë Veriore është shumë afër të arrihet, një ditë pasi u zbulua një pajtim për t’u takuar me liderin koreano-verior, Kim Jong-u.
Koreja Veriore në anën tjetër ende nuk ka lëshuar një deklaratë.
Më herët, Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se takimi nuk do të bëhet nëse Pyongyang nuk ndërmerr paraprakisht disa veprime konkrete.
Mediat në SHBA kanë njoftuar se Trump ka vendosur ta takojë Kimin pa u konsultuar fare me njerëzit e administratës së tij.
Sekretari i Shtetit Amerikan, Rex Tillerson, ishte në udhëtimin e tij të parë në Afrikë kur njoftimi për takimin u dha.
“Këtë vendim presidenti e ka marrë vet”, ka thënë Tillerson, në një konferencë për media në Djibouti.
“Kam biseduar shumë herët në mëngjes me të për vendimin dhe kemi pasur një bashkëbisedim shumë të mirë”.