Trump do t’i rritë tarifat edhe për makinat e importuara nga BE
Vetëm një muaj më parë, administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, filloi një hetim nëse makinat e importuara paraqesin rrezik kombëtar në SHBA, apo jo.
Vetë Trump hodhi dritë mbi ecurinë e këtij hetimi, gjatë një bashkëbisedimi me reporterët, në bordin e Air Force One, gjatë udhëtimit nga Uashingtoni në Nju Xhersi.
Ashtu siç kishte paralajmëruar më herët, Trump tha se në varësi te rezultateve të hetimit, do të vendosë tarifa për të gjitha makinat që importohen nga vendet e Bashkimit Europian.
“Hetimi i administratës në lidhje me rritjen e tarifave për makinat e importuara nga vendet e Bashkimit Europian, do të publikohen shumë shpejt. Ndoshta brenda 3-4 javësh”, deklaroi Trump.
Presidenti amerikan tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara janë trajtuar shumë keq nga Organizata Botërore e Tregtisë, por ai nuk po e shqyrton tërheqjen nga ajo, në këto momente.
Vetëm pak ditë më parë, Trump paralajmëroi një rritje me rreth 20% të tarifave për makinat e importuara nga BE-ja dhe bëri thirrje që ato të prodhohen brenda SHBA-ve.
Ky vendim mund të përshkallëzojë më tej luftën ekonomike mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, që filloi që me vendosjen e tarifave të çelikut nga ana e Trump.
Shtetet e Bashkuara aktualisht imponojnë një tarifë prej 2.5 për qind në makinat e pasagjerëve të importuar nga Bashkimi Evropian dhe një tarifë prej 25 për qind në kamionët.
Nga ana tjetër, BE imponon një tarifë prej 10 për qind në makinat e importuara nga SHBA.