Trump u bën thirrje mbështetësve republikanë që të vaksinohen
Ish-presidenti amerikan Donald Trump u ka bërë thirrje mbështetësve republikanë që të vaksinohen kundër COVID-19, sëmundjes që shkakton koronavirusi, duke thënë se ai do ta rekomandonte një gjë të tillë.
Në një intervistë televizive, ai ka thënë se vaksina është “e sigurt” dhe “diçka që funksionon”.
Baza e përkrahësve konservatorë të Trumpit ka qenë një prej grupeve kryesore që i ka rezistuar programit të vaksinimit.
Ish-presidenti amerikan është kritikuar gjatë periudhës sa ka qenë në Shtëpi të Bardhë për minimizim të rrezikut të pandemisë.
Pas nisjes së programit të vaksinimit në Shtetet e Bashkuara, të gjithë ish-presidentët amerikanë janë deklaruar për këtë çështje, duke u bërë thirrje amerikanëve që të marrin vaksinën.
Megjithatë, Trump, deri më tani, ka qenë i heshtur në këtë temë.
Ai dhe gruaja e tij, Melania, janë vaksinuar në Shtëpinë e Bardhë në janar të këtij viti.
“Do ta rekomandoja atë”, ka thënë Trump në një intervistë për Fox News.
“Do t’ua rekomandoja shumë njerëzve që nuk duan ta marrin atë dhe shumë njerëzve që votuan për mua, sinqerisht”.
Ai ka shtuar se vaksina është e “mrekullueshme, është e sigurt dhe diçka që funksionon”.
Një sondazh i kryer së fundmi në SHBA nga CBS News, ka sugjeruar se një e treta e mbështetësve republikanë kanë thënë se nuk duan të marrin vaksinën kur të kenë kohën, në krahasim me 10 për qind të demokratëve që besojnë njëjtë./rel/