Trump vazhdon sulmet ndaj hetimeve të prokurorit Mueller
Presidenti amerikan Donald Trump vazhdoi sot sulmet ndaj hetimeve të prokurorit të posaçëm Robert Mueller për lidhjet e dyshuara midis fushatës së tij presidenciale të vitit 2016 dhe Rusisë, duke deklaruar se “një bashkëpunim i fshehtë nuk përbën krim”.
Presidenti u bëri jehonë komenteve të njërit prej avokatëve të tij, ish-kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut Rudy Giuliani, i cili thotë se në kodin ligjor amerikan bashkëpunimi i fshehtë nuk përbën vepër penale. Presidenti Trump shtoi se kjo gjithsesi “nuk ka rëndësi”, sepse fushata e tij nuk ka bashkëpunuar fshehurazi me Rusinë.
Por analistët ligjorë në SHBA thonë se edhe pse bashkëpunimi i fshehtë mund të mos jetë krim, zoti Mueller ka mundësi që të jetë duke hetuar rreth një komploti të mundshëm, që në vetvete përbën vepër penale, për t’u lidhur me një qeveri të huaj me synimin që të ndikohej në zgjedhje. Sipas tyre, ka gjithashtu mundësi që ai të jetë duke hetuar rreth lidhjeve të shumta që ndihmësit e zotit Trump mendohet se kanë patur me interesat ruse.
Vetë zoti Trump ka pohuar me hezitim se në zgjedhje ka patur ndërhyrje të Rusisë, por e ka quajtur hetimin “një mashtrim të madh” me të cilin kundërshtarët përpiqen të shpjegojnë fitoren e tij ndaj ish-kandidates demokrate Hillary Clinton. /VoA