Trump zbulon pse pezulloi tarifat që ‘tronditën’ botën: Kina dëshiron marrëveshje, por nuk di se si ta bëjë

10 prill 2025 | 00:09

Presidenti Donald Trump ka shpjeguar arsyet se përse i pezulloi tarifat për një pjesë të madhe të vendeve të botës.

Trump tha se postoi më herët në rrjetet sociale për qetësi në shtetet e ndryshme të botës pas tarifave, pasi sipas tij, ai mendoi se liderët e këtyre shteteve po frikësoheshin dhe po lëviznin nga linja.

“Ata po mërziteshin, e dini, po bëheshin pak të mërzitur, paksa të frikësuar,” tha Trump,

Pasi pezulloi tarifat për shumë vende të botës dhe i zëvendësoi ato me një tarifë fikse 10 %, me përjashtim të Kinës, për të cilën i rriti tarifat në 125 %, Trump thotë se ai “po shikonte” tregun e bonove mbrëmë dhe se e shihte se “njerëzit po shqetësoheshin pak”.

Duke folur për lëvizjen e sotme në tregun e obligacioneve, ai tha se sot “tregu i bonove tani është i bukur”.

“Lëvizja e madhe nuk ishte ajo që bëra sot, lëvizja e madhe ishte ajo që bëra në Ditën e Çlirimit”, shton ai, duke iu referuar 2 prillit, kur zbuloi paketën e tij tarifore për shumë vende të botës.

“Ne kishim Ditën e Çlirimit në Amerikë. Ne u çliruam nga të gjitha marrëveshjet e tmerrshme që u bënë, të gjitha marrëveshjet e tmerrshme tregtare që u bënë”, tha më tej Trump.

Investitorët kishin futur para në obligacionet e qeverisë – por të hënën ata patën një ndryshim dhe filluan t’i shesin ato.

Yield-et e thesarit 30-vjeçar – norma e interesit për borxhin – arritën sot në 4.92%, kërcimi i tyre më i madh tre-ditor që nga viti 1982.

Trump vazhdoi më tej duke thënë se “asgjë nuk ka përfunduar ende” dhe shtoi se Kina do që të bëjë një marrëveshje me SHBA-të, por sipas tij, nuk di se si.

“Kina dëshiron të bëjë një marrëveshje, ata thjesht nuk dinë se si ta bëjnë atë,” tha ai më tej.

“Ata janë njerëz mjaft krenarë dhe Presidenti XI është një njeri krenar. Ata janë në proces të zbulimit, por duan të bëjnë një marrëveshje”, përfundoi Trump fjalën e tij, fill pasi rriti në 125 % tarifat ndaj Kinës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin München në Gjermani,…