Trumpi: Afganistani është laborator për terroristët
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka përshkruar Afganistanin si “laborator për terroristët”, duke thënë se nëse ShBA-ja e tërheq ushtrinë e saj nga ky vend, ai do të duhet të lërë atje një “prani të madhe të inteligjencës”.
“Unë e quaj atë Harvard për terroristët”, ka thënë Trumpi për Afganistanin, teksa iu referua një universiteti prestigjioz.
Trumpi i ka bërë komentet në një intervistë për televizionin amerikan “Fox News”.
Intervista është realizuar para sulmit që ndodhi të hënën në Kabul, ku militantët talibanë vranë së paku gjashtë vetë dhe plagosën mbi 100.
Trumpi po ashtu ka thënë për “Fox News: se ai dëshiron t’i tërheqë trupat amerikane nga Afganistani.
Por, ka shtuar se është i shqetësuar se pa praninë amerikane atje, Afganistani do të përdorej si bazë për sulmet terroriste në ShBA.
Lufta në Afganistan ka gati 18 vjet që ka nisur. Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara në një proces negociatash me talibanët për t’i dhënë fund konfliktit.