Trumpi anulon bisedimet për paqe me Afganistanin pas sulmit në Kabul
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump, ka bërë me dije se ka anuluar një takim në Uashington me liderët e talibanëve dhe presidentin afgan, Ashraf Ghani, pas një sulmi me bombë në Kabul që la të vdekur 12 persona, duke përfshirë edhe një ushtar amerikan.
Përmes disa postimeve në rrjetin social “Twitter”, Trumpi ka thënë se kishte planifikuar në heshtje të zhvillojë bisedime me të dyja palët.
“Nëse ata nuk mund të pajtohen për armë-pushim gjatë këtyre bisedimeve shumë të rëndësishme për paqe, si dhe janë në gjendje të vrasin 12 persona të pafajshëm, atëherë nuk kanë fuqi për të negociuar një marrëveshje të mirëfilltë”, ka thënë Trumpi.
Trumpi është duke tentuar t’i japë fund konfliktit 18-vjeçar në Afganistan si dhe të tërheq trupat amerikane nga vendi, për të realizuar premtimin që kishte dhënë gjatë fushatës më 2016, raporton “Rel”.
Ai do të rikandidojë për president më 2020. Shtetet e Bashkuara dhe talibanët, që nga shtatori i vitit të kaluar, kanë mbajtur tetë runde bisedimesh të paqes. Të dyja palët kanë njoftuar për përparim në bisedimet për një marrëveshje të mundshme.
ShBA-ja ka premtuar se mund të tërheqë trupat, nëse talibanët nuk lejojnë që Afganistani të përdoret si bazë për terrorizmin. Talibanët kanë refuzuar të negociojnë drejtpërdrejt me qeverinë e mbështetur nga Perëndimi në Kabul, duke e quajtur atë të paligjshme.