Trumpi: Asnjë amerikan nuk u plagos nga sulmet iraniane
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, gjatë një konference për media nga Shtëpia e Bardhë ka thënë se për aq kohë sa ai është president i ShBA-së, Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore.
Ai ka thënë se asnjë amerikan nuk është plagosur nga sulmet e Iranit në dy baza ushtarake amerikane.
“Të gjithë ushtarët tanë janë mirë. Janë shkaktuar vetëm disa dëme minimale. Ushtria e Amerikës është e gatshme të përballojë çdo gjë. Asnjë jetë amerikane apo irakiene nuk është humbur nga sulmi i Iranit. Irani ka qenë financuesi kryesor i terroristëve. Javën e kaluar morëm përsipër që të sulmonim një terrorist që rrezikonte jetët e amerikanëve. Soleimani ka qenë një person përgjegjës për shumë sulme”, ka deklaruar Trump.
Konferenca e jashtëzakonshme për media e presidentit Trump po zhvillohet pasi Irani ka sulmuar dy bazat amerikane, Irbil dhe Al Asad, në Irak në orët e para të mëngjesit të së martës.
“Forcat tona amerikane janë të përgatitura për gjithçka. Irani duket se po tërhiqet”, ka deklaruar Trump.