Trumpi bën thirrje për luftë kundër kartelave të drogës në Meksikë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka bërë thirrje Meksikës që me ndihmën e ShBA-së, t’i luftojë kartelat e drogës, që besohet se kanë zënë në pritë një grup amerikanësh mormonë në veri të Meksikës, duke vrarë nëntë gra dhe fëmijë.
“Nëse Meksika kërkon apo i duhet ndihmë për pastrimin e këtyre monstrave, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme dhe janë në gjendje për t’u përfshirë dhe për ta bërë punën shpejt dhe në mënyrë efektive”, ka shkruar Trumpi në llogarinë e vet në “Twitter”.
Prita ka ndodhur të hënën në Ranço de la Mora, një zonë famëkeqe për trafikantët e drogës.
Julian Lebaron ka thënë për mediet në Meksikë se kushërira e tij ka qenë duke udhëtuar me katër fëmijët e saj, kur automjeti i tyre është sulmuar dhe vënë në zjarr me viktimat brenda.
Dy automjete të tjera u gjetën po ashtu me trupat e pajetë të dy grave, të një djali dhe të një vajze.
Trumpi ka thënë se presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, e ka bërë luftimin e karteleve të drogës një çështje të madhe, por shtoi se “kartelat janë bërë aq të mëdha dhe të fuqishme saqë ndonjëherë ju duhet një ushtri për të mposhtur një ushtri”.