Trumpi beson se Britania do të dalë nga BE-ja pa marrëveshje
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump, në një intervistë për “Sunday Times”, ka thënë se lideri i Partisë së Brexitit, Nigel Farage, duhet të ngarkohet me negociatat e Qeverisë për dalje nga Bashkimi Evropian dhe se Britania duhet të përgatitet të dalë nga blloku pa marrëveshje.
Intervista e tij vjen një ditë para vizitës së planifikuar në Mbretërinë e Bashkuar të hënën. Të shtunën, po ashtu, Trumpi ka thënë se Boris Johnson do të ishte lider i shkëlqyeshëm i Partisë Konservatore.
Trumpi ka theksuar se Farage, kritik i ashpër i kryeministres Theresa May, ka shumë për të ofruar në negociatat me Bashkimin Evropian.
Ai po ashtu ka theksuar se Britania duhet të largohet nëse nuk e arrin marrëveshjen e dëshiruar, si dhe kishte qenë mjaft kritik ndaj “paaftësisë” së kryeministres May për të finalizuar negociatat me BE-në.
Donald Trump dhe zonja e parë Melania Trump pritet të fillojnë vizitën treditore në Britani të hënën. Ata do të vizitojnë edhe Pallatin Mbretëror ku është planifikuar një drekë me Mbretëreshën Elizabetë.