Trumpi: Bisedimet tregtare me Kinën po shkojnë mirë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se bisedimet për tregtinë me Kinën “janë duke shkuar shumë mirë”.
Zyrtarët amerikanë dhe kinezë kanë mbaruar në Uashington edhe një rreth negociatash, në përpjekje për t’iu dhënë fund tarifave të shtrenjta midis dy ekonomive.
“Mendoj se po shkojnë vërtet mirë. Kemi pasur negociata shumë, shumë të mira me Kinën”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, por pa dhënë më shumë detaje.
Trumpi edhe më herët ka folur për përparim në negociata, por, në të njëjtën kohë, ka kërcënuar me tarifa të reja kundër Pekinit, për shkak të praktikave të tij tregtare.
Mosmarrëveshjet, tash e 15 muaj, që përfshijnë miliarda dollarë tarifa të dyanshme, kanë shkaktuar frikë për ngadalësim të ekonomisë globale.
Uashingtoni e akuzon Kinën për politika të padrejta tregtare dhe vjedhje të teknologjisë dhe pronës intelektuale.
Kina ka paraqitur disa ankesa në Organizatën Botërore të Tregtisë, e cila i kufizon tarifat që secili vend lejohet t’i vendosë.
Lufta tregtare mes dy vendeve i ka lëkundur vazhdimisht tregjet botërore.