Trumpi datën e Samitit G7-s do ta shtyjë deri në shtator
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se do ta shtyjë Samitin G7, të planifikuar për këtë vit, me qëllim që t’i ftojë edhe liderët e shteteve të tjera që nuk janë pjesë e G7-s.
“Nuk mendoj se përfaqëson në mënyrë të duhur atë çfarë po ndodh në botë. Është një grup i vjetër i shteteve”, tha Trump të shtunën.
Grupi G7, nikoqir i të cilit këtë vit do të jetë ShBA-ja, përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Britania.
Trumpi tha se Rusia, Koreja e Jugut dhe Australia e India duhet të ftohen.
Trumpi tha se do ta shtyjë samitin deri në shtator, e që ishte planifikuar të mbahej në qershor.
Kancelarja gjermane Angela Merkel ka refuzuar ftesën e presidentit amerikan Donald Trump për të marrë pjesë në samitin e grupit G7 në Shtetet e Bashkuara.
“Marrë parasysh situatën me pandeminë, ajo nuk është pajtuar për pjesëmarrje personale dhe udhëtim drejt Uashingtonit. Ajo natyrisht se do të vazhdojë t’i vëzhgojë zhvillimet rreth pandemisë”, ka thënë zëdhënësi i qeverisë gjermane.
Grupi G7 përbëhet nga shtatë shtetet më të industrializuara në botë.