Trumpi dhe Abe bisedojnë për Iranin
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump, ka biseduar në telefon me kryeministrin japonez, Shinzo Abe lidhur me Iranin, Korenë e Veriut dhe tregtinë, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Judd Deere nuk ka ndonjë detaj lidhur me bisedën e dy udhëheqësve për Iranin.
Agjencia e lajmeve “Kyodo”, ka thënë se biseda ndërmjet presidentit Trump dhe kryeministrit Abe ka zgjatur një orë e pesëmbëdhjetë minuta.
Abe u ka thënë gazetarëve se biseda është zhvilluar me kërkesën e Trumpit. Ky diskutim ndërmjet dy liderëve më 21 dhjetor, vjen në ditën kur presidenti i Iranit, Hassan Rohani përfundoi vizitën dyditore në Japoni, ku ai kërkoi ndihmën e Tokios për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore të arritur më 2015 ndërmjet Iranit dhe fuqive botërore.
Japonia është aleate kyçe e ShBA-së në Azi, por gjithashtu ka raporte të mira diplomatike dhe ekonomike me Iranin. Në të kaluarën, kryeministri japonez Abe, ka tentuar që të luajë rolin e ndërmjetësuesit, për të përmirësuar marrëdhëniet ShBA-Iran.
Tensionet ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara janë rritur, pasi vitin e kaluar, Trump tërhoqi Uashingtonin nga marrëveshja bërthamore. Që atëherë, ShBA-ja ka rivendosur sanksionet ekonomike ndaj Iranit.