Trumpi e kreu terapinë për koronavirus
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka përfunduar terapinë për koronavirus dhe mund të kthehet në angazhimet publike më 10 tetor, tha mjeku i Shtëpisë së Bardhë. “Të shtunën bëhen dhjetë ditë nga diagnostikimi dhe, bazuar në trajektoren e simptomave, unë parashikoj kthimin e sigurt të presidentit në angazhimet publike në atë kohë”, tha doktor Sean Conley.
Ai tha se Trumpi i është përgjigjur “jashtëzakonisht mirë” trajtimit, pa pasur ndonjë provë të efekteve anësore dhe pa shenja që sugjerojnë “përparimin e sëmundjes”.
Trumpi ka njoftuar më 1 tetor se është diagnostikuar me sëmundjen që e shkakton koronavirusi, Covid-19, dhe ka kaluar tri ditë në spital përpara se të kthehej në Shtëpinë e Bardhë më 5 tetor.
Pas njoftimit të Conleyt, Trumpi tha se mund të përpiqet të marrë pjesë në një tubim zgjedhor më 10 tetor. Duke folur për “Fox News”, Trump tha se tubimi mund të jetë në Florida.
Doktor Anthony Fauci, eksperti kryesor i sëmundjeve infektive në ShBA, tha se dy teste negative PCR – me 24 orë diferencë kohore – janë faktori kryesor për të përcaktuar nëse dikush është ende infektues ose jo.