Trumpi: E ndalëm konfliktin 400-vjeçar Kosovë – Serbi, tani ata puthen
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka vazhduar tubimet zgjedhore para zgjedhjeve presidenciale. Mbrëmjen e kaluar ai ishte në Nebraska dhe gjatë fjalimit nuk harroi që përsëri të mburrej me marrëveshjen e nënshkruar në Uashington në shtator mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se i kanë ndaluar 400 vjet vrasje mes tyre. “A e dini se jam nominuar për tri Çmime Nobel për Paqe? A mund ta besoni këtë?”, tha ai para përkrahësve, para se ata të shpërthenin në brohoritje.
“…dhe për rajone të ndryshme, si mes Kosovës dhe Serbisë, jemi duke bërë marrëveshje, e dini, marrëveshje tregtare. Unë thashë: Pritni një minutë, a nuk e luftojnë ato njëra-tjetrën gjithmonë? Po. Për shumë dekada. Si e dite? Unë thashë: E di, ata e luftojnë njëri-tjetrin tërë kohën”, shtoi kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Më pas, ai tha: “Tregojuni se ne nuk do të bëjmë kurrfarë biznesi me ta – ata e duan biznesin tonë, apo jo – nuk do të bëjmë kurrfarë biznesi pa bërë marrëveshje që ata të ndalen së vrari njëri-tjetrin dhe e dini çka? Zgjati rreth 20 minuta”, tha presidenti amerikan.
“Ata kanë luftuar për 40 vjet. Unë mendoj se ata kanë luftuar për 400 vjet, a doni ta dini, por ata kanë qenë duke luftuar për një kohë të gjatë. Ata duan të bëjnë një marrëveshje. Krejt papritmas, dy muaj më parë, ata ishin në Zyrën Ovale, duke u përqafuar e duke u puthur, ishte e lehtë”, deklaroi në fund Trumpi.