Trumpi e Putini do të takohen ‘shkurtimisht’ në Paris
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump, do të takohen në një drekë të shkurtër pune në Pallatin Elysee në Paris, më 11 nëntor, ka thënë të mërkurën Yuri Ushakov, ndihmës i Kremlinit.
Të dy liderët do të qëndrojnë në Francë për të marrë pjesë në ngjarjet për 100-vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore.
Të martën, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se nuk ka gjasa për një takim substancial, porse Putin dhe Trump “mund të mbajnë bisedime në këmbë për të përcaktuar se kur do të takohen në një format të plotë”.
Trumpi dhe Putini janë takuar për herë të fundit në muajin korrik, në Helsinki.
Agjencia “Reuters”, ka raportuar se ata mund të takohen për bisedime më të gjata dhe më gjithëpërfshirëse në një samit të G20-ës, grupit të vendeve më të industrializuara, që do të mbahet në fund të këtij muaji në Argjentinë.