Trumpi e shkarkon kryeinspektorin që i nxiti hetimet kundër tij
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka shkarkuar inspektorin e përgjithshëm të inteligjencës, Michael Atkinson, i cili kishte ndikuar në nisjen e hetimeve kundër presidentit. Ky vendim është kritikuar ashpër nga Partia Demokratike.
Në kohën kur vendi po kalon nëpër krizën e koronavirusit, presidenti amerikan në mbrëmjen e së premtes i njoftoi anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe ata të komisioneve për inteligjencë në Senat në lidhje me shkarkimin e kryeinspektorit.
Në letrën që presidenti ua dërgoi këtyre institucioneve thuhet se është jetike që ai të ketë besim në personin që shërben si inspektor i përgjithshëm dhe se kjo nuk qëndron më në rastin e personit të shkarkuar.
Aty, gjithashtu, thuhet se presidenti në ditët e ardhshme do të nominojë një individ në të cilin ka besim për këtë post, shkruan “The Guardian”, transmeton Express.
Ndaj këtij vendimi reaguan ashpër anëtarët e Partisë Demokratike. Chuck Schumer, udhëheqës i demokratëve në Senat, tha: “Presidenti Trump i shkarkon njerëzit që e thonë të vërtetën”.
“Michael Atkinsoni është njeri me integritet, i cili i ka shërbyer kombit tonë për gati dy dekada. Fakti se është shkarkuar shkaku i guximit që e ka pasur për t’ia thënë të vërtetën pushtetit e bën atë patriot”, shtoi ai.
Ndryshe, Atkinson ishte zyrtari i parë që e kishte njoftuar Kongresin vitin e kaluar në lidhje me ankesën e një sinjalizuesi për telefonatën e presidentit Trump me homologun ukrainas, ku i kërkonte fillim të hetimeve kundër rivalit politik, Joe Biden.