Trumpi emëron Grenellin drejtor të përkohshëm të “Qendrës Kennedy”

11 shkurt 2025 | 10:16

Presidenti Trump emëroi dje Richard Grenellin, të dërguarin e tij për misionet speciale, drejtor ekzekutiv të përkohshëm të Qendrës Kennedy.

Emërimi erdhi disa ditë pasi vet Trump u emërua kryetar i bordit të ri të asaj qendre.

“Kam kënaqësinë të njoftoj se Ric Grenell do të shërbejë si drejtor ekzekutiv i përkohshëm i “Qendrës Kennedy”. Ric ndan vizionin tim për Epokën e Artë të Arteve dhe Kulturës Amerikane dhe do të mbikëqyrë funksionimin e përditshëm të qendrës. Jo më shumë drag shoë, ose propaganda tjera anti-amerikane vetëm më të mirët. Ric, mirë se vjen në show biznes”, tha presidenti në Truth Social të hënën.

Grenell, i cili shërbeu si ushtrues detyre i Drejtorit të Inteligjencës kombëtare të Trump dhe ambasador në Gjermani në mandatin e tij të parë, së fundmi udhëtoi në Venezuelë dhe u vlerësua kryesisht për të ndihmuar në lirimin e gjashtë amerikanëve të ndaluar atje.

Trump tha të premten se do t’u jepte fund mandateve të shumë anëtarëve të bordit të “Qendrës Kennedy” dhe do të shpallte një bord të ri, të udhëhequr nga ai.

Në përgjigje të postimit të presidentit të premten në mbrëmje, “Qendra Kennedy” theksoi “marrëdhëniet e saj bashkëpunuese me çdo administratë presidenciale”, duke vënë në dukje se nuk kishte marrë asnjë informacion nga administrata Trump në lidhje me lëvizjen e tij.

Kryetari aktual i bordit të besuar të Qendrës Kennedy është filantropisti miliarder David Rubenstein, i cili ishte bashkëthemelues i firmës së kapitalit privat Carlyle Group dhe kishte shërbyer si këshilltar politikash i ish-presidentit Carter.

Anëtarë të tjerë të bordit përfshijnë biznesmenin Anthony Welters, i cili shërben si zëvendëskryetar dhe Deborah Rutter, e cila shërben si presidente, megjithëse muajin e kaluar ajo njoftoi planet për të dhënë dorëheqjen më vonë këtë vit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka mbërritur në mbrëmje në aeroportin e Rinasit, bashkëshortja e…