Trumpi: Ende po negociojmë me verikoreanët për mbajtjen e samitit
Presidenti amerikan, Donald Trump ka konfirmuar se një nga zyrtarët më të lartë të Koresë Veriore është nisur drejt Nju Jorkut për të biseduar rreth mbajtjes së samitit në mes të Trumpit dhe liderit verikorean, Kim Jong Un.
Përmes një postimi në llogarinë e vet në “Twitter”, Trumpi ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë mbledhur një “ekip shumë të mirë” për bisedime me verikoreanët dhe se negociatat për samitin janë duke u zhvilluar ende.
Trumpi ka njoftuar se nënkryetari i Koresë së Veriut, Kim Young Chol, është nisur drejt Nju Jorkut.
“Përgjigje e plotë ndaj letrës sime, faleminderit!”, është shprehur ai.
Takimi në mes të Trumpit dhe liderit verikorean, Kim Jong Un ishte planifikuar të mbahej më 12 qershor në Singapor, mirëpo dilemat për samitin janë ngritur kur Trump ka njoftuar se është tërhequr nga i njëjti.