Trumpi fajëson Bidenin për luftimet ndërmjet Izraelit dhe Gazës: Po të isha unë president…
Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka akuzuar pasardhësin e tij në Shtëpinë e Bardhë, Joe Biden, se është duke mbajtur qëndrim të dobët, i cili, sipas tij, ka çuar në konfliktin në mes të izraelitëve dhe palestinezëve.
“Kjo nuk do të kishte ndodhur me mua”, ka thënë Trumpi.
Duke folur nga kulla “Trump Tower” në Manhattan, ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë, ka thënë se ka për synim të formojë një rrjet social shkaku i bllokimeve që i janë bërë në rrjetet e famshme sociale.
Ai ka pranuar se bllokimi në “Facebook”, “Twitter”, “YouTube” dhe platforma tjera është duke ia dëmtuar përpjekjet për mbledhje të fondeve për rikandidimin e mundshëm për president në zgjedhjet e vitit 2024.
Trumpi e kritikuar ashpër politikën e presidentit amerikan rreth Lindjes së Mesme, duke thënë se Bideni i ka ligështuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), shkruan “Daily Mail”.
“Ju s’do ta kishit këtë problem në Izrael. Ata nuk gjuanin raketa. Ata po hedhin mijëra raketa drejt Izraelit. Kjo nuk do të kishte ndodhur me mua”, ka thënë Trumpi.
Ai ka thënë se ka qenë në mënyrë të vendosur pro Izraelit dhe se ka qenë aleat i fortë i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, duke shprehur shqetësim për të ardhmen e Lindjes së Mesme.
Trumpi ka theksuar se edhe lëvizjet e fundit agresive të Rusisë ndaj Ukrainës janë shenjë e dobësisë amerikane. Ai padeklaruar se fuqia e tij e ka parandaluar Korenë Veriore që të shpallë luftë.