
Trumpi fajëson Zelenskyn për nisjen e luftës në Ukrainë
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka fajësuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për shpërthimin e luftës me Rusinë, duke thënë se ai ndan përgjegjësinë me Vladimir Putinin për “miliona të vdekur”, një deklaratë që pason sulmin rus në qytetin Sumy, ku humbën jetën të paktën 35 persona dhe u plagosën 117 të tjerë.
“Ti nuk nis luftë kundër dikujt që është 20 herë më i madh se ty dhe pastaj shpreson se do të të japin raketa”, tha Trump para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, duke akuzuar gjithashtu edhe paraardhësin e tij Joe Biden për konfliktin.
Trump e cilësoi sulmin rus si “gabim”, por tha se tre njerëz janë fajtorë për gjakderdhjen: Putin, Biden dhe Zelensky. Ai vuri në dyshim aftësitë e presidentit ukrainas, duke thënë se “gjithmonë është në kërkim të raketave” dhe shtoi: “Kur nis një luftë, duhet ta dish që mund ta fitosh”, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Deklaratat e Trump vijnë në një kohë kur tensionet mes tij dhe Zelenskyt janë të larta, që pas një takimi përplasës në ShBA në shkurt. Zelensky e ftoi Trumpin të vizitojë Ukrainën para se të arrijë ndonjë marrëveshje me Putinin. “Ju lutem, para çdo negociate, ejani dhe shikoni me sytë tuaj fëmijët e vrarë, kishat e rrënuara, njerëzit në spitale”, i tha ai në një intervistë për CBS 60 Minutes.
Rusia pretendon se ka goditur një mbledhje ushtarësh ukrainas në Sumy me raketa Iskander, duke vrarë 60 prej tyre, por nuk ka dhënë prova për këtë.
Trump u shpreh se synon “të ndalë vrasjet” dhe paralajmëroi se do të prezantojë propozime së shpejti, pa dhënë detaje.