Trumpi fiton betejën me gjykatën: E respektoj vendimin, do t’i paguaj 175 milionë dollarë
Ish-presidenti amerikan Donald Trump fitoi betejën me gjykatën e Lartë të Nju-Jorkut kundër sekuestrimit të aseteve të tij pasurore.
Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, Donald Trump do të duhet të paguajë një shumë prej 175 milionë dollarësh brenda 10 ditëve.
Në këtë mënyrë, organet ligjzbatuese do t’i pezullojnë akuzat për mashtrim fiskal në shumën prej 454 milionë dollarësh.
Vendimi i hap rrugën Trumpit për të kandiduar i pashqetësuar në zgjedhjet e nëntorit në ShBA.
“Gjyqtari i Gjykatës së Lartë të Manhatanit, Arthur Engoron i ka bërë një dëm të tmerrshëm shtetit të Nju Jorkut. Bizneset po ikin dhe krimi po lulëzon në të gjithë shtetin dhe ajo që ai ka bërë është një shërbim kaq i keq dhe nuk duhet lejuar të ndodhë më kurrë. Unë e respektoj shumë vendimin e divizionit të apelit dhe do të jap ose 175 milionë dollarë në para, obligacione ose garanci ose çfarëdo që është e nevojshme, shumë shpejt brenda dhjetë ditëve”, tha Trump.
Zyra e Prokurores së Përgjithshëm të Nju Jorkut, Letitia James, e cila po trajton çështjen, tha se Trumpi “është duke u përballur me përgjegjësinë për mashtrim”.
Trumpi ka luftuar për të mbledhur para si për fushatën e tij ashtu edhe për shpenzimet e tij ligjore.
Ai është deklaruar i pafajshëm në rastet penale dhe ka mohuar të ketë kryer shkelje ligjore për rastet e përmendura ndaj tij.
Në çështjen civile të Nju-Jorkut, Trumpi u gjet përgjegjës për mashtrim me pasurinë e tij në miliarda dollarë për të siguruar kushte më të mira kredie dhe sigurimi.
Gjyqtari Arthur Engoron zbuloi se Trump ishte përfshirë në mashtrim duke mbivlerësuar pronat, duke përfshirë edhe pronën e tij Mar-a-Lago në Florida, apartamentin e tij në Kullën Trump të Manhatanit dhe ndërtesa të ndryshme zyrash dhe fusha golfi.
Gjyqi u fokusua kryesisht në atë se sa duhet të paguajë Trump në gjoba.