
Trumpi hodhi poshtë tërheqjen e trupave nga Evropa, por ja çfarë shkruan ‘Bild’-i në shkrimin ku përmendet edhe Kosova
Gazeta e njohur gjermane “Bild” ka raportuar të mërkurën se Italia është duke u përgatitur për tërheqjen e mundshme të trupave amerikane nga Kosova.
Sipas gazetës së njohur gjermane, ky raportim mbështetet në informacionet që ka.
“Sipas të dhënave të ‘Bild’-it, Italia është duke u përgatitur për tërheqje të mundshme të trupave të ShBA-së nga Kosova. Aleatët evropianë atëherë do të ishin të vetëm në Ballkan kundër mikut të Putinit, Aleksandër Vuçiq, dhe ushtrisë së tij të fuqishme serbe”, është thënë në artikullin e “Bild”-it.
Më tutje në këtë artikull është thënë se ka një shqetësim të madh në shumë pjesë të Evropës për negociatat amerikano-ruse.
“Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka përjashtuar një tërheqje të plotë të trupave amerikane nga Evropa. Sipas të dhënave të Bild-it, shërbimet perëndimore të sigurisë dhe politikanët perëndimorë kanë frikë se bisedimet që nisën në Riad do të mund të çonin në përfundimin e pranisë së trupave amerikane në pjesë të mëdha të Evropës”.
Këto burime, “Bild” i ka mbështetur duke cituar edhe një zyrtar të sigurisë në Evropën Lindore.
“Sipas të dhënave tona, kjo ka të bëjë me kërkesat e Putinit të vitit 2021, që janë tërheqja e trupave amerikane nga të gjitha shtetet e NATO-s që janë bërë pjesë e aleancës pas vitit 1990”.