Trumpi i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në fokus Irani
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se mosmarrëveshja e tij me Iranin do të jetë çështja kryesore në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Trumpi do t’i drejtohet sot të pranishmeve në këtë asamble.
“Shumë gjëra po ndodhin në lidhje me Iranin, shumë më tepër sesa dini ju, shumë më tepër sesa dinë mediet”, u ka thënë Trumpi gazetarëve në Nju Jork.
Trumpi, prejse ka marrë detyrën në janar të vitit 2017, ka marrë një qëndrim të ashpër ndaj Iranit.
Në maj të vitit 2018, ai është tërhequr nga një marrëveshje bërthamore, që Irani e ka nënshkruar me fuqitë botërore, dhe ka rikthyer sanksione të ashpra mbi ekonominë iraniane.
Ai po ashtu ka fajësuar Iranin për sulmet e 14 shtatorit në rafineritë e naftës në Arabinë Saudite, duke thënë se të gjitha opsionet mbeten në tavolinë për t’iu përgjigjur përfshirjes së dyshuar të Teheranit.
Ky i fundit e ka mohuar përgjegjësinë.
Ka pasur spekulime në rritje për një takim të mundshëm të Trumpit me presidentin e Iranit, Hassan Rohani, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, por Trump tha të hënën se asgjë nuk është planifikuar.
Trumpi po ashtu ka thënë se do t’i thotë Asamblesë se “Shtetet e Bashkuara janë vendi më i madh në botë – kurrë nuk kanë qenë më të fuqishme, kurrë nuk kanë qenë më mirë”.