Trumpi i rikthehet fushatës pas përpjekjes së dytë për vrasjen e tij
Kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i është kthyer aktiviteteve të fushatës zgjedhore për herë të parë që prej një përpjekjeje të dytë për vrasjen e tij.
Trumpi është lavdëruar më 17 shtator se “vetëm presidentëve të rëndësishëm iu bëhet atentat”, teksa ka përshëndetur kundërshtaren e tij, kandidaten demokrate Kamala Harris, për kujdesin e treguar përmes një telefonate, raporton “AFP”.
Ish-presidenti amerikan ka folur në një tubim para mbështetësve të zjarrtë në Flint, një qytet industrial që dikur ishte qendër e industrisë automobilistike amerikane në qytetin e luhatshëm të Miçiganit, para se fabrikat të mbylleshin për shkak të konkurrencës së jashtme.
Trumpi është munduar të lidhë atë që Byroja Federale amerikane e Hetimeve (FBI) e ka cilësuar si përpjekje të penguar për vrasjen e tij të dielën, në fushën e tij të golfit në Florida, me zotimin e tij për të vendosur tarifa të larta ndaj importit të automjeteve nga Meksika dhe nga Kina.
“Dhe pastaj habiteni pse sulmohem me armë… E dini që vetëm presidentëve të rëndësishëm iu bëhet atentat”, është shprehur ai.
Kandidati republikan ka thënë se njeriu që dyshohet se është përpjekur ta vriste atë ishte ndjekës i asaj që ai e ka quajtur retorikë e presidentit Joe Biden dhe e Harrisit që ngulmon se Trumpi përbën rrezik për demokracinë amerikane.