Trumpi javën e kaluar donte ta sulmonte qendrën bërthamore të Iranit

17 nëntor 2020 | 08:38

Një zyrtar amerikan tha të hënën se presidenti në largim, Donald Trump, javën e kaluar kërkoi opsione për ta sulmuar qendrën kryesore bërthamore të Iranit, por në fund vendosi për t’u tërhequr nga ky hap dramatik.

Trumpi e bëri këtë kërkesë gjatë një takimi në Zyrën Ovale të enjten e kaluar me ndihmësit e tij më të lartë në fushën e sigurisë kombëtare, përfshirë nënpresidentin Mike Pence, sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, sekretarin në detyrë të Mbrojtjes, Christopher Miller, dhe gjeneralin e ushtrisë amerikane, Mark Milley, shtoi ky zyrtar.

Sipas këtij burimi, deklaratën e të cilit e botoi gazeta “The New York Times”, këshilltarët e bindën Trumpin që të mos e realizonte këtë plan për shkak të rrezikut për një konflikt më të gjerë, shkruan Reuters, transmeton Express.

“Ai pyeti për opsione. Ata ia dhanë skenarët dhe ai përfundimisht vendosi që të mos vazhdonte përpara”, tha ky zyrtar. Shtëpia e Bardhë refuzoi të komentonte për këtë çështje.

Një sulm i mundshëm ndaj qendrës kryesore bërthamore të Iranit, “Natanz”, do të mund të sillte konflikt rajonal dhe do të paraqiste sfidë serioze në politikën e jashtme për presidentin e zgjedhur, Joe Biden.

Trumpi i ka kaluar katër vjet të mandatit të tij me një politikë agresive kundër Iranit, duke u tërhequr në vitin 2018 nga marrëveshja bërthamore me këtë shtet, e cila ishte arritur nga paraardhësi i tij në Shtëpinë e Bardhë, Barack Obama, dhe duke i vendosur republikës islamike sanksione të gjera ekonomike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gratë e vajit ruajnë në Greqi një traditë të vjetër.…