Trumpi: Kartelet e drogës në Meksikë do t’i shpallim si organizata terroriste
Presidenti i zgjedhur i ShBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar se do t’i shpallë kartelet e drogës në Meksikë si “organizata të huaja terroriste”.
Trump në një aktivitet në Arizona, ka thënë se ata po përgatisnin një fushatë të re për të treguar efektet negative të drogës. Duke thënë se droga shkatërron trupin e njeriut, Trumpi ka theksuar se do të nisë një operacion deportimi kundër drogës dhe emigrantëve të parregullt në mandatin e tij të ri.
Ai ka argumentuar se një nga prioritetet e tij është mbyllja e kufirit për emigrantët e parregullt dhe se ai do të “ndalojë pushtimin” e ShBA-së.
“Çdo anëtar i bandës së huaj do të deportohet dhe unë menjëherë do t’i shpall kartelet si organizata të huaja terroriste. Do ta bëjmë menjëherë këtë”, ka thënë Trumpi.
Ai donte t’i shpallte kartelet si organizata terroriste gjatë mandatit të tij të parë, por e pati pezulluar këtë plan me kërkesë të presidentit të atëhershëm meksikan, Andres Manuel Lopez Obrador.
ShBA-ja ka akuzuar kartelin “Sinaloa” se është furnizuesi kryesor i drogës sintetike fentanyl, e cila vret “100 mijë amerikanë në vit”.