Trumpi kërkon nga OKB-ja të pengojë Iranin nga krijimi i bombës bërthamore
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u bëri thirrje vendeve të tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të punojnë me Amerikën për të siguruar që Irani nuk krijon kurrë bombë bërthamore.
Duke kryesuar mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për armët e shkatërrimit në masë, Trumpi e ka mbrojtur vendimin e tij për t’i rikthyer sanksionet kundër Iranit, për shkak të, siç tha, sjelljes së tij të keqe.
“U kërkoj të gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të punojnë me Shtetet e Bashkuara për të siguruar që regjimi iranian e ndryshon sjelljen e tij dhe nuk krijon kurrë bombë bërthamore”, ka thënë Trumpi.
Marrëdhëniet ShBA-Iran janë të tensionuara me dekada dhe Trumpi, sipas vëzhguesve, nuk i humb mundësitë për të kritikuar Teheranin.
ShBA i ka rikthyer sanksionet kundër Iranit pasi është tërhequr nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 midis Republikës Islamike dhe gjashtë fuqive botërore.
Ky veprim ka shpërfaqur ndarjet midis ShBA-së dhe aleatëve të saj evropianë.
Duke folur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Trump po ashtu tha se Irani dhe Rusia i kanë mundësuar regjimit sirian të shkaktojë “gjakderdhje”, por po ashtu i ka falënderuar dy vendet për zmbrapsjen nga një ofensivë kundër rebelëve në provincën Idlib të Sirisë.