Trumpi kërkon rritje të shpenzimeve në mbrojtje nga anëtarët e NATO-s

24 janar 2025 | 08:06

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përsëriti të enjten dëshirën e tij që të gjitha vendet anëtare të NATO-s të shpenzojnë 5% të PBV-së së tyre për buxhetet e tyre të mbrojtjes.

Ai, këtë gjë e tha ndërsa foli virtualisht në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër, të enjten.

“Ndërsa rivendosim sensin e përbashkët në Amerikë, ne po lëvizim shpejt për të rikthyer forcën, paqen dhe stabilitetin jashtë vendit”, tha Trump duke folur nga Shtëpia e Bardhë të enjten.

“Unë do t’u kërkoj gjithashtu të gjitha vendeve të NATO-s që të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5% të PBV-së, që është ajo që duhet të ishte vite më parë”, tha ai.

“Ishte vetëm në 2% dhe shumica e kombeve nuk paguanin derisa erdha unë”, shtoi presidenti. “Kam insistuar që ata të paguajnë, dhe ata e bënë, sepse Shtetet e Bashkuara po paguanin vërtet diferencën në atë kohë”.

Tregtia ishte gjithashtu pjesë e fjalimit të tij, pasi ai përsëriti kërkesën e tij të kahershme që bizneset t’i japin përparësi prodhimit amerikan.

Mesazhi i tij ishte i thjeshtë: kompanitë që zgjedhin të prodhojnë jashtë Amerikës do të përballeshin me pasoja financiare.

“Mesazhi im për çdo biznes në botë është shumë i thjeshtë: Ejani të bëni produktin tuaj në Amerikë dhe ne do t’ju japim ndër taksat më të ulëta të çdo kombi në Tokë. Por nëse nuk e bëni, do t’ju duhet të paguani një tarifë”, ka thënë më tej ai.

Trump njoftoi se kompanitë prodhuese brenda Shteteve të Bashkuara do të përfitojnë nga një ulje e taksave të korporatave, duke rënë nga 21% në 15%.

Ai pretendoi se kjo do të ishte “shkalla më e ulët e taksave” midis kombeve më të mëdha dhe ekonomikisht më të fuqishme në botë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtoresha e Muzeut të Luvrit, Laurence de Carre, i dërgoi…