Trumpi: Kina shkeli marrëveshjen në çështjet tregtare
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se Kina ka “shkelur marrëveshjen” sa u përket çështjeve tregtare, duke rritur kështu armiqësitë pak para se të rinisin negociatat mes përfaqësueve të të dyja shteteve.
“Ata kanë shkelur marrëveshjen. Ata nuk mund ta bëjnë këtë. Prandaj do të paguajnë”, u ka thënë Trump mbështetësve në një marsh fushate në Florida.
Këto komente kanë ardhur pasi Pekini ka thënë se do të hakmerret me “kundërmasa të domosdoshme” nëse Shtetet e Bashkuara rrisin tarifat në produktet kineze.
Trumpi është zotuar se do të dyfishojë tarifat tregtare në mallrat kineze në vlerë të 200 miliardë dollarëve ditën e premte.
Mirëpo pavarësisht kësaj, negociatorët e të dyja shteteve pritet të zhvillojnë bisedime për tregti në ShBA, gjatë ditës së enjte.
Delegacioni kinez, është i udhëhequr nga zëvendëskryeministri, Liu He, njëherësh një nga njerëzit më të fuqishëm në Kinë, raporton “Rel”.
Presidenti Trump në anën tjetër ka thënë se nëse nuk arrihet marrëveshje, “nuk ka asgjë të keqe në të fituarit e më shumë se 100 miliardë dollarëve më tepër brenda vitit”.
Pak pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) kanë vënë tarifa në mallrat kineze vitin e kaluar, autoritetet e Kinës janë kundërpërgjigjur me masa të njëjta, duke krijuar paqartësi për ekonominë globale.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka thënë se përshkallëzimi i marrëdhënieve tregtare mes ShBA-së dhe Kinës, ka qenë një nga faktorët që i ka kontribuuar ndjeshëm “zvogëlimit të zgjerimit global”.