Trumpi kritikon përndjekjen e republikanëve
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump, ka akuzuar prokurorin e përgjithshëm amerikan, Jeff Sessions, për dëmtimin e shanseve të dy anëtarëve republikanë të Kongresit, për rizgjedhje në zgjedhjet e nëntorit.
Trumpi, në një postim në llogarinë e vet në “Twitter”, ka thënë se vendimi i Departamentit të Drejtësisë për të ngritur akuza “i vë tani fitoret e lehta në dyshim”.
Të dy republikanët konsiderohen mbështetës të rëndësishëm të Trumpit.
Christopher Collins akuzohet për tregti të brendshme dhe Duncan Hunter për shkelje të fushatës.
Trumpi është përplasur shpesh me Sessions për hetimin e ndërhyrjes së dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të ShBA-së, më 2016.
Sessions është vetëtërhequr nga hetimet e pretendimeve se Moska ka ndërhyrë për të ndihmuar zgjedhjen e Trumpit president.
Zëvendësprokurori i përgjithshëm, Rod Rosenstein, ka emëruar më pas ish-drejtorin e FBI-së, Robert Mueller, si këshilltar të posaçëm, për të udhëhequr hetimet.
Trumpi vazhdimisht e ka cilësuar procesin e hetimeve si “gjueti të shtrigave”.
Zgjedhjet për Kongres mbahen më 6 nëntor, ndërsa demokratët po përpiqen të rrëzojnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve nga republikanët. (Rel)