Trumpi kundërshton të dhënat për viktimat nga stuhia në Puerto Riko
Presidenti amerikan, Donald Trump ka kundërshtuar se gati 3,000 persona kanë vdekur në Puerto Riko si pasojë e dy stuhive që kanë goditur këtë ishull vitin e kaluar.
“Nuk kanë vdekur 3000 persona nga dy stuhitë në Puerto Riko”, ka shkruar Trumpi në llogarinë e vet në “Twitter”, pa ofruar të dhëna për këtë pretendim.
Sipas tij, demokratët kanë ndërhyrë në numrin zyrtar të viktimave ashtu që situata të duket “sa më keq që është e mundur”.
Shifra e përmendur është prezantuar muajin e kaluar pas realizimit të një studimi të pavarur.
Të enjten, Trumpi ka deklaruar në disa postime në rrjetin social, “Twitter” se demokratët e kanë sulmuar atë kur ai “me sukses ka rritur shifrat në miliarda dollarë për të ndihmuar në rindërtimin e Puerto Rikos”.
Presidenti republikan ka thënë se numri i viktimave si pasojë e stuhisë është rritur me qëllim, duke shtuar në atë listë edhe personat që kanë vdekur nga shkaqet e natyrshme, siç është mosha.
“Politikë e keqe. Unë e dua Puerto Rikon”, ka deklaruar ai.
Deklaratat e Trumpit kanë ardhur teksa stuhia “Florence”, tanimë në kategorinë e dytë, pritet të shkaktojë vërshime katastrofike në bregun lindor të ShBA-së.
Universiteti George Washington ka gjetur në muajin korrik se 2 975 persona kanë vdekur në Puerto Riko, si rezultat i Stuhisë Maria, e cila pati vërshuar territorin e këtij ishulli në shtator të vitit 2017.
Gurvernatori i Puerto Rikos, i cili ka kërkuar kryerjen e këtij studimi, ka pranuar shifrat e personave të vdekur.
Në studimin e këtij Universiteti janë përfshirë edhe personat që kanë vdekur gjashtë muaj pas stuhisë, si rezultat i shëndetit të ligë dhe mungesës së energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm. (Rel)